Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, i ka quajtur të njëanshme vendimet e fundit të Qeverisë për kufizimin e lëvizjes nga 15 prilli, duke thënë se një gjë e tillë nuk mund të ndërmerret pa koordinim me komunat.
Ai shprehet kundër masave të reja lidhur me kufizimin e lëvizjes, pasi që ka ende fshatra në Kosovë që nuk kanë asnjë të infektuar me koronavirus.
Derisa i bashkohet reagimit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, që siç thuhet nuk janë konsultuar kryetarët e komunave për masat e ndërmarra mbrëmë nga Ministria e Shëndetësisë, kryetari Tahiri thotë se sot në komunën që ai udhëheq është shkaktuar kaos nga qytetarët për shkak të panikut.
Kryetari i Vushtrrisë, në një intervistë për KosovaPress, thotë se janë 23 raste deri më tani të konfirmuara në këtë komunë me Covid-19, ku katër prej tyre janë shëruar.
“Gjithsejtë në komunën e Vushtrrisë kemi 23 qytetarë të prekur me COVID-19, prej të cilëve katër janë shëruar. Pra, janë 19 qytetarë që janë pozitiv me COVID-19, apo të njohur ndryshe si koronavirus. Ne lutemi që të gjithë të shërohen sa më shpejt dhe t’i kthehen jetës normale, dhe gjithë qyteti t’i kthehet jetës normale. Si shtab komunal emergjent jemi në kontakt të vazhdueshëm me pacientët dhe familjet e tyre për t’iu ofruar mbështetjen e nevojshme. Po ashtu, si shtab kemi marrë një sërë masash për të cilat besojmë se lehtësojnë jetën e qytetarëve, e që kanë për qëllim ndalimin e përhapjes së virusit në qytetin tonë”, tha Tahiri.
Lajmin e plotë e gjeni në Kosovapress!