Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, e ka komentuar takimin e së mërkurës të kryeministrit Albin Kurti me shefin e Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, të dërguarin special për dialogun, Miroslav Lajçak por edhe mungesën e takimit të nivelit të lartë që ishte paraparë të ndodhë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Kushtet e Kurtit, Rohde i cilësoi si “ngarkesë” në procesin e dialogut, i cili proces sipas tij, edhe ashtu është i vështirë aktualisht.
Lidhur me këtë deklaratë në një prononcim për GazetaBlic, ka folur edhe ish kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ku tha se të gjitha këto kushte të Kurtit, që Rohde i ka quajtur si ngarkesë janë rezultat i politikës gjermane në Kosovë.
Mustafa thotë se askush më shumë se gjermanët nuk e kanë përkrahë VV që të vijë në pushtet.
Tutje ai shton se kur Rohde flet për Kurtin duhet ta shikoj vetën në pasqyrë.“Sa mund të jenë kushtet e Kurtit ngarkesë (të paqëlluara) për dialog aq janë të gjitha këto rezultat i politikës gjermane në Kosovë (ose i ambasadorëve të tyre). Askush më shumë se gjermanët nuk e kanë përkrahë VV-në për me ardhë në pushtet. Prandaj, mendoj se i nderuari ambasadori Rohde, kur flet për Kurtin do duhej ta shikojë veten në pasqyrë”, tha Mustafa.