Prokuroria Themelore në Prishtinë ka lëshuar aktvendim për ndalimin e dy personave, pas vdekjes së punëtorit si pasojë e lëndimeve të marra pasi u rrëzua nga një objekt në vendin e tij të punës në Lipjan.
Kështu ka konfirmuar për Paparacin zëdhënësja e prokurorisë, Laureta Ulaj.
Ngjarja, sipas raportit policor, ka ndodhur rreth pasdites së djeshme.
Të ndaluarit, pronari i firmës ndërtimore dhe pronari i pronës, dyshohen për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, sipas KPRK-së.
“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se viktima (mashkull) si pasojë e lëndimeve të marra pasi është rrëzuar nga objekti ku punonte, fatkeqësisht nuk ka mundur t’iu mbijetojë plagëve, ku me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në IML, për obduksion.
Prokuroria ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e dy (2) personave, për shkak të veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, sipas KPRK-së. Të njëjtit ndodhen nën masën e ndalimit prej 48 orësh. Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim me njësitë relevante është duke marrë veprime hetimore lidhur me këtë rast”, thotë Ulaj.